
Është një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara në Tokë, ku shumica e njerëzve nuk kanë qasje në botën e jashtme. Edhe pakica e privilegjuar që ka telefona ose kompjuterë është e kufizuar në një intranet të censuruar, ndërsa shikimi i serialeve apo filmave të huaj është krim.
Atëherë, si u bë Koreja e Veriut forca më e fuqishme e hakerëve në botë? CNN tregon pë këtë në një artikull.
Milicia kibernetike e vendit bëri paraqitjen e saj spektakolare para botës më shumë se një dekadë më parë, me një sulm të guximshëm ndaj një gjiganti të Hollivudit. Muajin e kaluar, sipas zyrtarëve amerikanë, ajo kreu grabitjen e saj më të madhe deri më tani, duke vjedhur kriptovaluta në vlerë prej 6 miliardë dollarësh nga Binance, bursa më e madhe në botë e kriptovalutave. Kjo do ta çonte në 13 miliardë dollarë shumën e përgjithshme që ka vjedhur deri më sot. Pheniani mohoi përfshirjen.
Sipas analistëve, përmes këtyre vjedhjeve fitimprurëse, udhëheqësi autoritar Kim Jong Un ka arritur të financojë ambiciet e tij bërthamore, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe pavarësisht sanksioneve të rënda.
“Ata janë në një kategori më vete”, tha Nick Carlsen, hetues i lartë në kompaninë TRM Labs, e cila merret me gjurmimin e kriptovalutave. “Ideja e përdorimit të një njësie shtetërore të spiunazhit kibernetik për të kryer vjedhje, pra për t’u marrë thjesht me veprimtari kriminale – askush tjetër nuk e bën këtë”.
Informacionet për Korenë e Veriut janë të pakta, ndërsa hollësitë dalin gradualisht nga personat që kanë dezertuar dhe janë larguar nga vendi, gazetarët dhe punonjësit e organizatave humanitare që e kanë vizituar atë, si dhe ekspertët që monitorojnë nga afër aktivitetet e Phenianit.
Megjithatë, këto informacione të kufizuara paraqesin një përpjekje të ndërlikuar për të krijuar një ushtri hakerësh, të përzgjedhur nga shkollat në mbarë vendin, të cilët tani përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha moderne kibernetike në botë.
Si ndërtohet një ushtri hakerësh?
Themelet e para u hodhën nga gjeneratat e mëparshme të dinastisë sunduese të Koresë së Veriut.
Në vitet 1980, pasi kishte parë rritjen e shpejtë ekonomike të Koresë së Jugut pas luftës, udhëheqësi Kim Il Sung themeloi në kryeqytetin Phenian një shkollë për nxënësit e talentuar, ku mësoheshin shkencat, teknologjia, inxhinieria dhe matematika (STEM), si dhe gjuhët e huaja. Sipas një punimi të vitit 2019 nga Jin Shin, drejtor i Institutit për Strategji Kombëtare në Universitetin Kombëtar Chungnam të Koresë së Jugut, konkurrenca për t’u pranuar në këtë shkollë ishte shumë e madhe dhe nxënësit përzgjidheshin përmes një procesi rigoroz vlerësimi.
Atje, nxënësit kishin qasje të kufizuar dhe të monitoruar nga afër në kompjuterë. Çdo vit, 100 nxënësit më të mirë në shkencat kompjuterike dërgoheshin në universitete ushtarake për trajnim të mëtejshëm, ndërsa më pas anëtarët më të dalluar të këtyre grupeve dërgoheshin në Kinë ose Rusi për të mësuar programimin e avancuar dhe hakimin. Ndonjëherë, hakerët e ardhshëm shkonin edhe më larg, në programe shkëmbimi në vendet perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar në fillim të viteve 2010, kur marrëdhëniet ishin më të ngrohta, sipas Carlsen dhe raportimeve mediatike.
Këto mundësi u lejonin nxënësve të fitonin informacione të vlefshme për sistemet softuerike të përdorura nga korporatat e mëdha globale, si dhe njohuri më të gjera për financat dhe inxhinierinë, thuhej në raportin e Shin-it.
Carlsen, hetuesi i TRM Labs, e krahasoi këtë sistem përzgjedhjeje dhe përgatitjeje me mekanizmin sportiv të sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, i cili i stërviste fëmijët që në moshë të hershme për t’i bërë olimpistë të ardhshëm. “Koreja e Veriut ka bërë të njëjtën gjë me fëmijët e vegjël që kanë aftësi matematikore: I identifikon që në moshë të hershme dhe i zhvillon këto aftësi”, tha ai.
Pas kthimit në Korenë e Veriut, nxënësit më të dalluar rekrutohen nga “Njësia 121” famëkeqe e ushtrisë, e cila kryen sulme kibernetike me urdhër të regjimit, duke shënjestruar bankat e huaja, institucionet qeveritare dhe infrastrukturën kritike.
Në një vend që ende është kryesisht i varfër, kjo rrugë ishte shumë e lakmuar. Rekrutët më të mirë mund ta shpërngulnin të gjithë familjen në kryeqytetin e privilegjuar dhe pajiseshin me apartamente të mëdha në lagje luksoze – një dallim i madh nga kushtet e vështira të jetesës në zonat rurale, të cilat duhet t’i përballojnë shumica e koreano-veriorëve, tha Jang Se-yul, një person që kishte dezertuar, i cili kishte studiuar në kolegjin ushtarak të Koresë së Veriut për shkenca kompjuterike para se të arratisej në Korenë e Jugut.
Kjo infrastrukturë ishte ndërtuar kryesisht në kohën kur nipi i Kim Il Sung-ut, Kim Jong Un, mori pushtetin në vitin 2011. Si pjesëtar i brezit të mijëvjeçarit, i cili dikur kishte jetuar dhe studiuar në Evropë dhe e kishte përjetuar nga afër ngritjen e internetit, edhe ai e kuptonte fuqinë e luftës kibernetike.
“Lufta kibernetike është një shpatë shumëfunksionale që u garanton Forcave të Armatosura Popullore të Koresë së Veriut aftësi të pamëshirshme goditëse, krahas armëve bërthamore dhe raketave”, kishte thënë ai, sipas një informimi të vitit 2013 nga agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.
Deri në vitin 2019, ushtria kibernetike e Kim-it ishte bërë një forcë që duhej marrë seriozisht – me një numër prej 1.800 deri në 7.000 hakerësh, sipas vlerësimeve të ndryshme.