
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar, se pas reshjeve të borës, vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ftohta ajrore dhe se gjatë periudhës 30 nëntor – 4 dhjetor 2026 moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale diellore.
Temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta, me tendencë të rënies së mëtejshme në fillim të javës.
Vlerat minimale do të lëvizin nga minus 7 gradë Celsius deri në minus 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 4 deri në 3 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1–6 metra për sekondë.
Të mërkurën dhe të enjten pritet intensitet më i theksuar i ngricave për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Të premten parashihet një rritje e lehtë e temperaturave maksimale, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në 3 gradë Celsius.
Megjithatë, kjo rritje nuk do të jetë e mjaftueshme për eliminimin e ngricave. Kushtet e krijuara do të favorizojnë ngrirjen e rrugëve, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
Rreziku do të jetë më i theksuar në viset malore, urat dhe rrugët me hije. Në përgjithësi, java do të karakterizohet me mot të ftohtë dimëror, ngrica të shpeshta dhe mbajtje të konsiderueshme të mbulesës së borës.
Në fund të javës së parë të dhjetorit priten sërish reshje bore.
Moti në pesë ditët e ardhshme:
E hënë
Moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme, të cilat do të alternohen me intervale me diell. Si pasojë e masave të ftohta ajrore, në të gjithë territorin parashihen kushte për paraqitjen e ngricave, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit. Temperaturat minimale do të variojnë nga minus 7 deri në minus 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 2 deri në 1 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-5 metra për sekondë.
E martë
Do të mbajë mot kryesisht me diell, me kalime të herëpashershme të vranësirave të pjesshme. Nën ndikimin e masës së ftohtë ajrore, temperaturat do të shënojnë rënie të mëtejshme, duke krijuar kushte për ngrica të theksuara në të gjithë territorin, sidomos gjatë orëve të mëngjesit.
Temperaturat minimale do të variojnë nga minus 11 deri në minus 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 4 deri në 0 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 metra për sekondë.
E mërkurë
Moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara, të cilat lokalisht mund të jenë të pranishme gjatë ditës. Temperaturat e ulëta do të favorizojnë formimin e ngricave në të gjitha rajonet e vendit. Rekomandohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në komunikacion, për shkak të mundësisë së ngrirjes së sipërfaqeve të rrugëve.
Temperaturat minimale do të ndryshojnë nga minus 13 gradë deri në minus 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 4 deri në minus 1 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 metra për sekondë.
E enjte
Do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të herëpashershme, kryesisht të karakterit të pjesshëm. Gjatë orëve të para të ditës pritet të ketë ngrica, si pasojë e temperaturave negative.
Kujdes i shtuar u rekomandohet pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zonat kodrinore-malore dhe në viset me lartësi më të madhe mbidetare, ku mundësia e ngricave mbetet më e theksuar.
Temperaturat minimale do të ndryshojnë nga minus 13 gradë deri në minus 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 4 deri në 1 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-6 metra për sekondë.
E premte
Kushtet meteorologjike do të karakterizohen me mot kryesisht të vranët, me intervale kohore me diell. Gjatë orëve të mëngjesit do të ketë kushte për paraqitjen e ngricave, ndërsa gjatë ditës, si pasojë e rritjes graduale të temperaturave maksimale, pritet një zbutje e lehtë e kushteve termike.
Temperaturat minimale do të ndryshojnë nga minus 11 gradë deri në minus 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga minus 3 deri në 3 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6 metra për sekondë.