
Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci do të paraqiten të hënën në Gjykatën e Magjistraturës së Norwich – Anglia Lindore, në lidhje me akuzat për grabitje brenda shtëpisë së çiftit mbretëror Princi William dhe dukesha Kate Middleton.
Dy shqiptarët nga Laçi akuzohen për vjedhje dhe kalim të një zone të mbrojtur.
Ata do të paraqiten në gjykatë në orën 10:00, ku do të pyeten nga gjykatësi i çështjes nëse ata pranojnë akuzat e ngritura nga prokuroria.
Të dy të rinjtë nga Laçi më 23 nëntor, duke përdorur një tub shkarkimi uji, hynë në katin e parë të Anmer Hall në Norfolk. Ata akuzohen se kanë grabitur gjashtë kapëse këmishësh dhe një orë në shtëpinë e princit britanik.
Sipas ligjit anglez, për akuzën e grabitjes së një rezidence banimi, dënimi shkon deri në 14 vjet heqje lirie.
Për të shmangur këtë dënim të rëndë, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci pritet të pranojnë akuzat e të përfitojnë një dënim më të lehtë.
Të dy ata sipas mediave britanike kanë hyrë ilegalisht në Britani të Madhe.