Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aprovohet kërkesa e mbrojtjes, Veselit i shtyhet shqyrtimi i paraburgimit deri më 19 dhjetor

Gazeta10
10 November 2022 - 17:33

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, ku me anë të vendimit që ka marrë ka shtyrë shqyrtimin e radhës të paraburgimit të ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit deri më 19 dhjetor.

Ai ka udhëzuar mbrojtjen që deri më 11 nëntor 2002 të dorëzojë shkresën, me anë të së cilës Veseli heq dorë nga rishikimi i paraburgimit.

Po ashtu, ka urdhëruar prokurorinë që nëse dëshiron ta bëjë këtë, të plotësojë parashtresat e saj për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të Veselit, jo më vonë se e premtja, 9 dhjetor.

“Udhëzon mbrojtjen, nëse dëshiron ta bëjë këtë, t’i përgjigjet parashtresave të ZPS-së dhe shtojcave të mundshme, jo më vonë se e mërkura, 14 dhjetor 2022”, thuhet në këtë vendim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, të akuzuarit janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj. /BpD

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.