
Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Po t’u lejohej udhëtimi, ministra të Qeverisë Kurti dhe disa kryetarë komunash, brenda pak ditëve do të udhëtonin për në Amerikë, por vizita e tyre është pamundësuar. Kjo ka zgjuar reagime të shumta, duke e vlerësuar si qortim të SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila nuk mori parasysh kërkesat e saj për shtyrjen e afatit për targat. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se ky është një mesazh për ekzekutivin kosovar, që sipas tyre, pas kësaj duhet të reflektojë, shkruan Kanal10.
Mos lejimi i vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe disa kryetarëve të komunave, është vlerësuar si lajm i keq nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe disa kolegë të tyre, kishin planifikuar të zhvillonin një vizitë në SHBA, por një udhëtim i tillë është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se shtyrja e vizitës së tyre ka ardhur pasi që kryeministri Kurti ka kundërshtuar SHBA-në për çështjen e targave ilegale serbe.
Sipas tij, ky është një mesazh që ministrat e Qeverisë Kurti për momentin janë të padëshirueshëm, duke thënë se për këtë ekzekutivi kosovar duhet të reflektojë.
Kurse, njohësi i politikës së jashtme, Visar Xani ka thënë se anulimi i vizitave në SHBA për ministrat nga Kosova, është paralajmërim se situata është e ndërlikuar.
Lidhur me këto vizita ishte deklaruar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka thënë se ministrat nuk është mirë të udhëtojnë jashtë vendit në kohë krize, duke shtuar se ata duhet të angazhohen brenda vendit.
Ndërkohë, në reagimin e saj, ministrja Haxhiu kishte thënë se në konsultim me ambasadën amerikane, është vlerësuar se për shkak të situatës aktuale, udhëtimi në SHBA është shtyrë për data tjera, duke mohuar se bëhet fjalë për refuzim vize.
Ndryshe, për dallim nga kabineti qeveritar, javën e ardhshme do të udhëtojnë për në SHBA, dy liderët e partive opozitare, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku. /Kanal10