
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova duhet që më në fund të fillojë dhe t’i përmbushë obligimet e saj, raporton Gazeta10.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, këto komente i ka bërë sot në Paris pas takimit me shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borell si dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka thënë se angazhimi i Prishtinës duhet të kalojë në praktikë dhe jo vetëm në teori.
Tutje, ai ka thënë se në këtë drejtim duhet të vazhdohet me vazhdimin e dialogut si dhe zgjidhjen e temave të hapura.
“E theksova se është shumë e rëndësishme që institucionet evropiane dhe shtetet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina më në fund duhet të fillojë t’i përmbushë obligimet e saj, që para së gjithash ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që do të tregonte angazhimin e tyre të pretenduar në praktikë, vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura”, ka thënë Vuçiq në llogarinë në Instagram, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta10.