
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ushtria është detyra dhe projekti madhor, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se sot janë betuar 311 rekrutë të rinj të FSK-së dhe kanë marrë statusin e Ushtarit të Kosovës.
Më tej, kryeministri Kurti, ka thënë se Kuvendi dje ka miratuar tri projektligje që e fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Tutje, Kurti ka thënë se FSK po forcohet në funksion të paqes, demokracisë dhe progresit.
Këtu keni postimin e plotë:
“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor
Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.
Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10