
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur regjistrimin e qenve me mikroçip në tetë komuna të vendit si; Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Vushtrri, Dragash, Podujevë dhe Drenas.
Përmes një komunikate AUV-i u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që mbajnë qen që t’i regjistrojnë dhe t’i pajisin me mikroçip por edhe dokumentacion mbi pronësinë, raporton Gazeta10.
“Është obligim ligjor për çdo pronar të kafshës shoqëruese (qen) ta bëjë identifikimin dhe regjistrimin e kafshës së tij/saj. Përderisa ju jeni pronarë shteti ju mundëson qe ta legalizoni përmes një mikroçip në trup, i cili ndërlidhet me të dhënat e pronarit, të cilat ruhen në Regjistrin Qendror të Kafshëve, i cili menaxhohet nga AUV” thuhet në njoftim.
AUV po ashtu bënë të ditur se të gjitha shërbimet ofrohen falas, krejt çfarë qytetarët duhet të bëjnë është: ta dërgojnë qenin e tyre tek veterinari më i afërt i kontraktuar.
“Përveç identifikimit dhe regjistrimit, AUV ofron falas edhe kastrimin/sterilizimin e qenve, për të gjithë pronarët e interesuar të marrin këtë shërbim por nuk është obligative”, kanë shkruar nga AUV.
Mikroçipi injektohet përmes gjilpërës nën lëkurën e kafshës, ashtu si vaksinat, dhe nuk ka nevojë për përdorim të anestetikëve për t’u aplikuar./Gazeta10