
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Komuna e Obiliqit shprehet e kënaqur me menaxhimin e financave, derisa pret që me buxhetin e ri që është në rritje të bëjnë më shumë investime në fusha të cilat kanë nevojë për zhvillim. Derisa, qytetarët, opozita dhe shoqëria civile thonë se një gjë e tillë nuk është duke u bërë siç duhet, shkruan Kanal10.
Menaxhimi i buxhetit në Komunën e Obiliqit është kritikuar nga qytetarët.
Ata thonë se duhet të investohet më shumë në krijimin e fabrikave, në mënyrë që vendi të ketë prodhime vendore dhe vende të reja të punës.
E disa prej tyre thonë se duhet të ndahet buxhet edhe për kategoritë e personave me aftësi të veçanta, pasi siç sipas tyre, kjo kategori është lënë pas dore.
E nga opozita kanë thënë se nuk është duke u bërë menaxhim i mirë i financave në Komunën e Obiliqit.
Sami Ahmeti, shef i shtabit të Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Obiliq ka thënë se nuk është duke u bërë ndarja e mirë e buxhetit për disa kategori.
Nga shoqëria civile kanë thënë se fokusi më i madh për ndarjen e buxhetit duhet të jetë në sektorin e shëndetësisë.
Zelushe Kelmendi, nga organizata “Obiliqi”, ka thënë se për shkak të qytetit që gjendet në zonën e KEK-ut, duhet t’i kushtohet më shumë zhvillimit të sektorit të shëndetësisë.
Por, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se është duke u bërë menaxhim i mirë i financave.
Ai ka shtuar se me rritjen e buxhetit për këtë vit do të kenë mundësi t’i përfshijnë të gjitha kategoritë.
Ndarjet buxhetore duke përfshirë sa më shumë kategori, vlerësohen të rëndësishme për të përmbushur nevojat e tyre për realizimin e projekteve të ndryshme.