
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës po kërkon anulimin e vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës ku i janë ulur pagat gjygjtarëve dhe prokurorëve, raporton Gazeta10.
Kjo shoqatë përmes një komunikate ka përkrahur vendimin e Këshillit Prokurorial të djeshëm ku janë pezulluar të gjitha format e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës dhe ku po ashtu do të trajtojë vetëm raste esenciale.
Më tej, bëhet e ditur se kjo shoqatë në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e këtij vendimi.
Tutje, do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal.
Këtu keni komunikatën e plotë:
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë
Prishtinë, 24 nëntor 2022 – Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.
Po ashtu, kjo shoqatë përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të marrë dje në takimin e vetë të jashtëzakonshëm për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale, për pezullimin e të gjitha format të bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për veprimet tjera të që parasheh vendimi i KPK-së.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve, përmes rrugëve ligjore dhe organeve gjyqësore vendimmarrëse.
Gjithashtu, do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për hapat lidhur me këtë çështje opinioni do të njoftohet me kohë”.
Përndryshe, dje ka pasur një reagim të ashpër në kundërshtim të këtij vendimi nga ana e subjekteve opozitare dhe nga shoqëria civile. / Gazeta10