
Partia Demokratike e Kosovës i është bashkuar fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, raporton Gazeta10.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se fatkeqësisht dhuna e të gjitha formave ndaj grave dhe vajzave po vazhdon të jetë shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut në gjithë botë.
Ai ka thënë se diskriminimi dhe përjashtimi i grave është i dukshëm pavarësisht përpjekjeve për avancimin e rolit të tyre.
Më tej ai ka thënë se vajzat dhe gratë e Kosovës meritojnë mundësi të barabarta.
Këtu keni statusin e plotë:
“Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, bashkë me anëtarët e Kryesisë së PDK-së, i jemi bashkuar fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” e cila fillon sot dhe vazhdon deri në shënimin e Ditës së të Drejtave të Njeriut më 10 dhjetor.
Fatkeqësisht, dhuna e të gjitha formave ndaj grave dhe vajzave, vazhdon të jetë shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën, jo vetëm në Kosovë. Diskriminimi, përjashtimi dhe mohimi i të drejtave të tyre është i dukshëm në çdo pore të shoqërisë, megjithë përpjekjet për ta avancuar rolin dhe pozitën e gruas.
Gratë dhe vajzat meritojnë trajtim dhe mundësi të barabarta. Të përkushtohemi çdo ditë, nga secili pozicion, që ta bëjmë këtë të mundur!
#Bashkë 50/50”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10