
Raporti: Nita Ilazi / Kanal10
Për shkak të temperaturave të ulëta brenda Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas e Komoran, pacientët po detyrohen që të presin në veturat e tyre deri t’u vie radha për t’u kontrolluar. Ata kanë thënë se mezi po qëndrojnë brenda këtyre qendrave gjatë kohës kur po marrin shërbime, për shkak se sipas tyre, temperaturat janë më të ulëta brenda se sa jashtë. Nga Komuna e Drenasit kanë thënë se gjatë ditëve të ardhshme do t’i furnizojnë këto qendra me pelet, shkruan Kanal10.
Po qëndron në veturë, derisa t’i vie radha për të marrë infuzion në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komoran.
Kjo për shkak se kjo qendër ka mbetur pa ngrohje, përkundër temperaturave të ulëta.
Ali Gashi i cili që 5 ditë rradhazi po kontrollohet në këtë qendër ka treguar se qëndrimi brenda saj është bërë i papërballueshëm për shkak të temperaturave të ulëta.
Për temperaturat e ulëta brenda objektit të QKMF-së janë ankuar edhe pacientë tjerë.
Ata kanë thënë se temperaturat brenda objektit janë më të ulëta sesa jashtë.
Derisa kanë ngritur shqetësime për temperaturat e ulëta, punëtorët shëndetësorë në këtë qendër kanë thënë se përgjegjëse për është Komunën e Drenasit.
E me problemin e njëjtë po përballen edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Drenas.
Ndërsa nga Komuna e Drenasit kanë thënë se kompania e kontraktuar për të furnizuar Qendrat e Mjekësisë Familjare me pelet nuk e ka bërë furnizimin ashtu si ka qenë e paraparë me marrëveshje.
Në kushte të tilla, punëtorët shëndetësorë në këto qendra kanë dhënë shërbime edhe gjatë viteve të kaluara, për shkak të vonesave në furnizim me pelet.