
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se është i tronditur nga vrasja e mbrëmshme e Hamide Magashit, ku ndër të tjera ka thënë se arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal për arrestimin e menjëhershëm të kriminelit të dyfishtë.
Tutje, ai ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara lidhur me rastin dhe historikun e tij.
Më tej, ai ka thënë se ka kërkuar edhe përfshirjen e Inspektoriatit Policor të Kosovës në lidhje me hetimin e punës të përfshirë në këtë rast në secilën instancë.
Ai ka thënë se janë të angazhuar me të gjitha kapacitetet që kriminelin ta sjellin para drejtësisë.
Këtu keni statusin e plotë:
“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.
Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.
Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.
Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.
Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10.