
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Janë bërë një javë që kur Gjykatat dhe Prokuroritë në vend vendosën ta reduktojnë punën, si revoltë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për uljen e pagave ndaj këtyre të fundit. Gjykatat, gjatë kësaj periudhe kanë shtyrë qindra seanca gjyqësore. Pas datës 8 dhjetor, as KGJK-ja e as KPK-ja, nuk treguan se çfarë masa do të marrin për këtë çështje. Ndërkaq, nga qeveria po presin që ky vendim të hyjë në fuqi.
Kur vendi po përballet me raste të shpeshta të vrasjeve e veprave tjera penale, institucionet e drejtësisë i kanë bërë një javë që kanë reduktuar punën.
Kështu, gjatë kësaj periudhe kohore, gjykatat e vendit nuk i kanë mbajtur qindra seanca gjyqësore.
Nga 24 nëntori, kur është marr ky vendim, në Gjykatën Themelore të Pejës, me degët e saj në Klinë, Deçan, Istog e Junik, janë shtyrë 155 seanca.
Gjykata Themelore e Prizrenit, me degët në Suharekë dhe Dragash, ka shtyrë 139 seanca.
Ajo e Ferizajt, bashkë me atë në Kaçanik, Shtime, Shtërpcë, për një javë ka pezulluar 158 seanca gjyqësore.
174 seanca janë shtyrë nga Gjykatorja e Gjilanit, me Kamenicën, Vitinë dhe Novobërdën.
35 seanca më pak se ajo e Gjilanit, i ka shtyrë Gjykata e Gjakovës, me nëndegët në Rahovec dhe Malishevë.
Ndërkaq, e njëjta gjendje është edhe në Prokuroritë Themelore të vendit, të cilat duke zbatuar vendimin e KPK-së, po merren vetëm me raste urgjente.
Televizioni ka provuar të marr përgjigje për gjendjen dhe rastet që janë pezulluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por shkurtimisht u përgjigjën se janë në pushim vjetor.
Kanal10 ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e KGJK-së dhe KPK-së, se çfarë masa do të ndërmarrin pas 8 dhjetorit, por të njëjtit kanë qenë të pa qasshëm.
Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës, kanë thënë se vendimi për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve nuk do të ndryshojë.
“Ky projektligj tashmë është proceduar në Kuvend dhe ai parasheh që të hyjë në fuqi një muaj pas miratimit aty. Ftojmë Gjyqtarët dhe Prokurorët që t’i rikthehen punës me kapacitete të plota”
Gjykata Themelore e Prishtinës, si më e madhja dhe ajo e Mitrovicës, nuk kanë treguar se sa seanca gjyqësore përgjatë një jave janë shtyrë.
KGJK-ja dhe KPK-ja, vendimin për reduktimin e punës në institucionet e drejtësisë e kanë marr pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, gjë ka nxitur reagime të shumta, duke e cilësuar atë edhe si kundë-kushtetues.