
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka takuar sot në Vatikan Papa Françeskun me të cilin ndër të tjera kanë diskutuar edhe për Kosovën, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se kishte një ndjenjë të veçantë gjatë rikujtimit të raporteve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.
Më tej, Begaj ka thënë se i ka shprehur mirënjohje Shtetit të Vatikanit për kontributin e bërë për popullin shqiptar.
Ai ka thënë se kanë folur për disa momente të rëndësishme të partneritetit të tyre ku ndër të tjera ka përmendur edhe Nënë Terezën.
Më tej, Begaj ka thënë se kanë diskutuar edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor si dhe ndikimin e luftës në Ukrainë ndaj këtij rajoni.
Këtu keni postimin e plotë:
“VATIKAN – Takimi me Papa Françeskun sot ishte një emocion i veçantë e që sjell në vëmendje marrëdhëniet historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë.
Shpreha mirënjohje për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.
Vlerësimet e Papës për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. Vendimet e Papa Françeskut dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike të Shqipërisë shqiptare janë një vlerësim për kombin si dhe historinë tonë, ku sakrifica dhe solidariteti janë pjesë e pandashme e saj.
Biseduam për rrugëtimin e Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian si dhe rëndësinë e kultivimit të vlerave njerëzore e shpirtërore, që janë themeli i shoqërisë sonë.
Kosova si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës ishte pjesë e bisedës, ndërsa diskutuam edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e agresionit rus në Ukrainë për rajonin.
Ftova Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar”, ka shkruar Begaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10