
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se me raportuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe “problemet me të cilat po përballen serbët” , raporton Gazeta10.
Siç është publikuar në llogarinë “buducnostsrbijeav” në Instagram, Vuçiq në takim ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të serbëve nga Kosova.
“Kam shqyrtuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen serbët nga lëvizjet e njëanshme dhe jolegjitime të Kosovës. Theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe arritjes së kushteve më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Lajçak ditë më parë në një intervistë për Kanal10 ka deklaruar se këtë javë do të vizitoj Serbinë e Kosovën, për të parë se a është duke u respektuar marrëveshja e targave por edhe për të parë hapat e ardhshëm për planin franko-gjerman./Gazeta10