
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare, raporton Gazeta10.
“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush. ”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme./Gazeta10