Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

SHBA: S’ka kushte për zgjedhjet në veri

Gazeta10
07 December 2022 - 18:57

Raporti: Viola Korça / Kanal10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se për momentin nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës. Ambasadori amerikan ka thënë se prioritet i parë duhet të jetë siguria e qytetarëve, i cili njëkohësisht është shprehur i shqetësuar pas sulmeve në veri. Shqetësime për dhunën kanë shprehur edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, shkruan Kanal10.

Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë janë shprehur të shqetësuar për situatën e krijuar, pas shpërthimeve që kanë ndodhur pasditen e së martës në veri të vendit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka dënuar këto sulme, derisa ka thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit, në katër komunat veriore.

Ai ka thënë se siguria e qytetarëve është prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar në lidhje me incidentet e fundit në veri të vendit.

“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që Policia e Kosovës, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”.

Shqetësime për situatën në veri të Kosovës, ka shprehur edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, duke thënë se dialogu është rruga e vetme.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Ëigemark, ka thënë se është i shqetësuar për incidentet në veri të vendit.

Ai ka thënë se ky mision së bashku me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës do ta monitorojnë situatën.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.

Ndryshe, pasditen e së martës, grupe të qytetarëve serbë në veri kanë penguar hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre që vijnë nga Lista Serbe, si kundërshtim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale. /Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.