Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Presidentja e Kosovës u përgjigjet autoriteteve serbe (VIDEO)

Gazeta10
09 December 2022 - 19:12

Raporti: Kanal10

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë. Këtë reagim, Osmani e ka bërë si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të zyrtarëve serbë se po e shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të 1000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

Në Kosovë nuk do të shkelë më kurrë këmba e një polici apo ushtri të Serbisë.

Kjo ka qenë përgjigja e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila u ka reaguar autoriteteve serbe, të cilat kanë deklaruar se po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të njëmijë trupave në Kosovë.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”

Presidentja Osmani ka reaguar edhe për plagosjen e policit, si dhe sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit.

“Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë. Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.”

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë të premten se Beogradi po e shqyrton kthimin e trupave të saj në Republikën e Kosovës.

“Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-it nuk i pëlqen detyra e vet”

Para saj, një kërcënim me dërgimin e trupave në veri e ka bërë edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kohëve të fundit, fillimisht pas vendimit për çështjen e targave, e më pas dorëheqjeve të zyrtarëve serbë dhe caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat veriore. / Kanal10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.