
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës dje dhe sot ka arrestuar dy serbë për sulme ndaj zyrtarëve policor në veriun e vendit, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se sulmet që dëmtojnë sigurinë e vendit janë të papranueshme dhe se kushdo që përfshihet në këto sulme do të sillet para drejtësisë.
Më tej, Sveçla ka thënë se lufta kundër krimit nuk ka alternativë.
Tutje, ai ka thënë se me përkushtim të të gjitha institucioneve do të ia dalin mbanë.
Këtu keni postimin e plotë:
“Sulmet që cënojnë sigurinë e vendit tonë, ndaj qytetarëve dhe ndaj zyrtarëve policorë janë të pa pranueshme. Duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave, pa dallim etnie, të sillen sa më parë para drejtësisë.
Policia e Kosovës dje ka arrestuar një qytetar të etnisë serbe për sulm ndaj zyrtarëve policor dhe sot është arrestuar një tjetër qytetar i etnisë serbe i cili po ashtu ka qenë në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policor.
Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë.
Me përkushtimin e të gjitha institucioneve, gatishmërinë e zyrtarëve policor dhe bashkëpunimin qytetar, do i’a dalim mbanë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se Mitrovica e Veriut është përballur me sulme sistematike me bomba së fundmi, ndërkohë institucionet e Kosovës po pregatiten për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se nuk ka kushte aktualisht për mbajtjen e tyre. / Gazeta10.