
Analisti politik, Albert Krasniqi, ka thënë se thyerja e zgjedhjeve shpërfaqë naivitet dhe dobësi institucionale, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se shpallja e zgjedhjeve ka qenë gabim që nga fillimi.
Më tej, ai ka thënë se është dashur fillimisht të analizohet situata në tërren para shpalljes së zgjedhje.
Tutje, Krasniqi ka thënë se presidentja nuk ka komptenca që të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht konsenzusit politik.
Krasniqi ka thënë se kështu mund të krijohen precedantët e rrezikshëm më të cilët mund të abuzohen në të ardhmen.
Këtu keni postimin e plotë:
“Shpallja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit ka qenë gabim qysh në fillim!
Përtej pamundësisë për të ofruar siguri për akterët në zgjedhje, kontestuese do të ishte edhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga një proces i tillë zgjedhor.
Përgjatë kësaj kohe, Presidenca dhe Qeveria u sollën sikur gjoja mbajtja e zgjedhjeve në veri është një proces i thjeshtë teknik me të cilin duhet të merret KQZ-ja.
Shtyrja e zgjedhjeve është veprim i arsyeshëm, por që shpërfaqë naivitet dhe dobësi të institucioneve. E para, pasi nuk ishin të aftë të vlerësojnë drejtë situatën në teren; dhe e dyta, pasi nuk qenë në gjendje t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre.
Përkundër këtyre, shtyrja e datë së zgjedhjeve të shpallura, nuk është as në harmoni me Kushtetutën. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve.
Në këtë vend ka ligje dhe institucione të cilat duhet të respektohen pavarësisht situatës. Kështu krijohen precedent të rrezikshëm që mund të abuzohet në të ardhmen”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Zgjedhjet komunale në veri janë shtyrë për në prill të vitit 2023 ndërsa veriu së fundmi ka qenë cak i sulmeve me bomba ndërsa sot ka pasur edhe vendosje të barrikadave në rrugë. / Gazeta10