
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Me muaj të tërë shumë institucione të rëndësishme për vendin po vazhdojnë të drejtohen nga ushtrues detyre. Përveç disa institucioneve qendrore, janë rreth 40 agjenci të pavarura, ku 30 prej tyre udhëhiqen nga ushtrues detyre. Për këtë, kritika ndaj Qeverisë kanë hedhur partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shkruan Kanal10.
Kosova është me ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Kosova është me ushtrues detyre të Drejtorit të Policisë së Kosovës.
Kosova është me ushtrues detyre të Ministrit të Shëndetësisë.
Kësisoj edhe shumë institucione të larta të shtetit, e agjenci të ndryshme vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi nga 40 agjenci të pavarura, 30 prej tyre aktualisht udhëhiqen me ushtrues detyre.
Kritika për qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, kanë adresuar deputetët e partive opozitare.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se lënia në dorë e institucioneve të rëndësishme nga ushtrues detyre tregon për mos seriozitetin e kësaj qeverie.
Funksionimin e shumë institucioneve me ushtrues detyre e ka kritikuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Përshpejtim të procesit të emërimit të ri për këto pozita ka kërkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
Kanal 10 ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria dhe Presidenca, por që nuk kanë kthyer përgjigje.
Tashmë kanë kaluar mbi dy muaj që nuk është emëruar ministri i ri i Shëndetësisë, derisa po aq edhe pa drejtor të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, janë bërë rreth tetë muaj që vendi ka mbetur pa kryeprokuror të shtetit, pasi presidentja ende nuk ka marr vendim për dekretimin e Blerim Isufajt, i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për këtë post.