
Raporti: Gentiana Gashi
Sulmet në veri të vendit nga serbët lokal kanë ngjallur reagime të shumta. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar që të largohen barrikadat në rrugët që të shpien në drejtim të pikave kufitare, Jarinje e Bërnjak. Derisa, sulmet ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, i kanë dënuar edhe Ambasada gjermane dhe ajo italiane në Kosovë.
Tensionet në veri të vendit kanë ngjallur reagimin e faktorit ndërkombëtarë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar fuqishëm sulmet ndaj EULEX-it dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë thirrje që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, sipas sistemit gjyqësor të Kosovës.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj patrullës së EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtarë të sigurisë janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi sipas sistemit kosovar të drejtësisë”, tha Jeffrey Hovenier – Ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar nga serbët lokal të largojnë barrikadat, derisa ka dënuar sulmin ndaj EULEX-it.
“Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”, deklaroi Josep Borell – Shefi i Diplomacisë së BE-së.
Sulmet në veri veçanërisht ndaj EULEX-it, i ka dënuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“EULEX-i kontribuon për të ofruar siguri për gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe organeve tjera që ofrojnë sigurinë duhet të ndalen menjëherë”, tha Jorn Rohde – Ambasadori gjerman në Kosovë.
Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar edhe Ambasada italiane në Kosovë.
Të njëjtit kanë shkruar se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë fare justifikime dhe se i dënojnë këto akte.
Të shtunën, në veri të Kosovës janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.