
Klubi basketbollistik Trepça, të hënën ka zyrtarizuar dy transferime të reja.
Bëhet fjalë për Musab Malën dhe Jamel Artis, të cilët nga sot do të jenë pjesë e nënkampionit të Kosovës.
Mala vjen te mitrovicasit pas një aventure njëvjeçare që e kishte te skaudra e Rahovecit, ndërsa edhe më parë ka mbrojtur ngjyrat e ‘Minatorëve’.
Përveç Rahovecit, Mala ka bërë karrierë edhe në disa klube të tjera të Kosovës si Vëllaznimi, Borea, Lipjani dhe Bashkimi.
Ndërkohë transferimi tjetër i Trepçës, Jamel Artis, vjen me shumë bujë në Kosovë pasi ka zhvilluar karrierë edhe te ekipi i NBA, Orlando Magic.
Përveç aventurës në elitën e basketbollit amerikan, Artis ka luajtur edhe në ligat elitare të Francës, Italisë, Lituanisë dhe sezonin e fundit ishte gjysmësezoni te klubi grek, Ionikas Nikais dhe në gjysmën tjetër të edicionit ka luajtur në Afrikë.
Trepça nuk po kalon në formë mjaft të mirë këtë edicion, pasi kanë humbur në pesë ndeshjet e fundit në elitën e basketbollit kosovar.