
Raporti: Viola Korça
Serbët lokalë kanë vendosur gjatë natës edhe një barrikadë të re në veri të vendit. Barrikada u vendos në lagjen “Berxhane” që shpie për në Zveçan, kështu duke penguar lirinë e lëvizjes edhe në rrugët alternative. Ndërkaq, situata në ditën e tetë të barrikadimit të disa prej rrugëve në veri të vendit, ishte e qetë.
Rrugët që të qojnë në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut edhe më tej janë të bllokuara, derisa gjatë natës serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë të re në lagjen “Berxhane” që shpie për në Zveçan.
Me vendosjen e barrikadave në këtë rrugë po pengohet liria e lëvizjes edhe në rrugët alternative.
Ndërsa, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë.
Gjatë ditës nuk janë parë shumë lëvizje të qytetarëve serbë.
Në lidhje me gjendjen në veri të vendit janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.
Nga policia kanë thënë se sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues po angazhohen në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.
Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale. Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit.
Sindikata e Policisë së Kosovës i ka bërë thirrje urgjente presidencës, qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lire.
Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht.
Edhe gjatë së shtunës kanëvazhduar patrullimet e pjesëtarëve të EULEX-it dhe atyre të KFOR-it. / Kanal10.