
Raporti: Saranda Alshiqi/ Kanal10
Banorët e fshatit Zhur tashmë e një kohë të gjatë janë duke u përballur me mungesë të furnizimit me ujë. Ata thonë se reduktimet në furnizim zgjasin deri në 24 orë. Në mungesë të furnizimit, banorët po duhet të gjejnë alternativa tjera për të mos mbetur pa ujë të pijshëm. Ndërsa, nga Hidroregjioni Jugor thonë se janë duke punuar në projektin për ndërrimin e gjithë rrjetit të brendshëm në këtë fshat.
Pavarësisht burimit të ujit që e kanë pak kilometra më poshtë, banorët e fshatit Zhur tashmë e një kohë të gjatë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.
Ata janë ankuar se vazhdimisht kanë reduktime të furnizimit të cilat zgjasin edhe deri në 24 orë.
Në mungesë të furnizimit, ata thonë se po duhet të përdorin alternativa tjera që të mos mbesin pa ujë të pijshëm.
Kryetari i fshatit Behar Begaj, ka treguar se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për mungesë të furnizimit, por që ende nuk u është bërë një zgjidhje.
Mirëpo nga kompania Hidroregjioni Jugor kanë thënë se banorët e fshatit Zhur kanë probleme me rrjetin e brendshëm, i cili duhet të ndërrohet.
“Fshati në fjalë ka problem me rrjetin e brendshëm i cili duhet të ndërrohet. Është hartuar projekti i cili është në bashkëpunim me komunën, të cilin synojmë të vazhdojmë punimet dhe zgjedhjen e operatorit ekonomik në vitin 2023.”
Banorët e fshatit Zhur edhe gjatë viteve të kaluara janë përballur me mungesë të furnizimit me ujë, derisa shpresojnë që së shpejti t’u bëhet një zgjidhje.