
Raporta: Gentiana Gashi / Kanal10
Lokalin po e hap si përherë, mirëpo tash e 16 ditë puna nuk po i ecë si më parë.
Xhavit Gashi nga Shipoli i Mitrovicës me këtë biçikletë udhëton çdo ditë nga gjysmë ore, për të shkuar tek biznesi i tij i cili gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.
Qytetari mitrovicas, thotë se tensionet në veri po i shkaktojnë dëme në biznes, kjo pasi lokali i tij nuk po frekuentohet nga serbët sikurse para dy jave.
Madje, Gashi është shprehur se mezi po ia delë ta paguaj qiranë, duke thënë se më parë nuk ka pasur këtë problem.
Derisa, në Rudarë ku edhe janë vendosur barrikadat, dita e dielë nuk ka qenë më ndryshe nga ato paraprake.
Pas ngritjes së 11 barrikadave, rrugët dhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Ndërkaq, mbrëmjen e së shtunës, EULEX, ka konfirmuar se është bërë zëvendësimi i policëve në stacionin e Leposaviqit, me kërkesën e Policisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar takim me komandantin e KFOR-it për ta sqaruar situatën me barrikadat e vendosura në veriun e Kosovës. /Gazeta10