Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti pret krerët e KFOR-it dhe të EULEX-it, pajtohen që s’duhet të ketë barrikada

Gazeta10
26 December 2022 - 19:14

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Të hënën, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe shefin e misionit të EULEX-it. Tema e takimit të tyre ka qenë largimi i barrikadave në veri. Aty është thënë se një gjë e tillë duhet të ndodhë sa më parë dhe siguria e liria e qytetarëve duhet të rivendoset.

Kur janë bërë 17 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, përfaqësues të Kosovës dhe krerë të misioneve ndërkombëtare kanë vazhduar përpjekjet për largimin e tyre.

Të hënën, kryeministri Albin Kurti, ka pritur në Qeverinë e Kosovës, komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se heqja e barrikadave në veri, është qëllim i përbashkët.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, Zyra e Kryeministrit.

Edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka thënë se në takimin me kreun e ekzekutivit kosovar është diskutuar situata e sigurisë.

Ky takim i tyre ka ardhur një ditë pas grupe të armatosura sërish kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it në veri të Kosovës.

Nga ky mision kanë njoftuar se janë duke e hetuar edhe incidentin e së dielës në Zubin Potok.

“KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Incidenti me persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve. Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.”

Për këtë rast të sulmit, kishte reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte deklaruar se po vazhdojnë lojërat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.