
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha ka thënë se sulmuesit e gazetarëve në veri të Mitrovicës teksa po e kryejnë detyrën e tyre, janë shumë lehtë të verifikueshëm për institucionet e sigurisë.
Rexha në debatin e Politikos ku po diskutohet për sulmet ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu i Mitrovicës për barrikadat e vendosura, tha se në raste të tilla anti-plumbi do të kryente punë.
Rexha teksa ka ftuar gazetarët e Kosovës për kujdes gjatë raportimeve në veri të vendit, tha se dy zonat e barrikaduara Jarinje dhe Bërnjak, janë zonat më të rrezikshme të raportimit për komunitetin e gazetarëve, shkruan Gazeta10.
Ai tha se kërkesa e institucionit që drejton, AGK është shtimi i prezencës së trupave të KFOR-it në fshatin Zupç të Zubin Potokut, pasi sipas tij, gazetarët do të kishin një siguri shtesë në mënyrë që të mos bien pre e këtyre sulmeve.
“Gjendje lufte nuk është. Por, veriu i Kosovës është njëri prej vendeve më të rrezikshme për të raportuar në gjithë kontinentin e Evropës aktualisht, për shkak të grupeve të armatosuara. Ne kemi parë që ka pas edhe të shtëna armësh pranë në drejtim të KFOR-it. E gjithë ajo pjesë, që prej Urës së Ibrit e deri në Bërnjak e Jarinjë, është zonë e rrezikshme e raportimit, edhe anti-plumbi do të kryente punë. Ajo çfarë po bëjmë si AGK është se jemi në përpjekje për të siguara mjete shtesë për gazetarët”, tha Rexha në Politiko në Kanal10.