
Raporti: Saranda Alshiqi /Kanal10
Një 31 vjeçar ka vdekur dhe një tjetër është plagosur pas te shtënave me armë në mëngjesin e së martës. Krejt kjo dyshohet të ketë ndodhur si shkak i një fature në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren. Rastin e kanë konfirmuar nga Policia ku janë ndalur 6 persona në mbajtje, derisa nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kanë thënë se po hetohen detajet e rastit, shkruan Kanal10.
Një konflikt rreth një fature, dyshohet të jetë shkaku i vrasjes së një 31-vjeçari që ndodhi në një lokal nate në Prizren, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Problemi për pagesën në lokalin “Kobra City”, ka pasuar me të shtëna me armë, me ç’rast i vrarë ka mbetur 31 vjeçari nga Kukësi, derisa një 27 vjeçar i po të njëjtit vend është plagosur.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se gjashtë persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, rasti ka ndodhur si shkak i konfliktit lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.
“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit Kobra City, në dalje të Prizrenit, rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin Kobra City me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve. Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës Audi, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre, tha Admir Shala – Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Pronari i lokalit dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas kryeprokurorit, institucionet po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme drejt zbardhjes së rastit, derisa gjashtë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.