
Raporti: Bleona Dallaveraj
Me të filluar viti 2023, qytetarët po përballen me ngritje të çmimeve të shumë produkteve esenciale. Nga Agjencia e Statistikave kanë treguar se gjatë këtyre katër ditëve është rritur çmimi i sheqerit, vezëve, jogurtit, patateve e perimeve. Po ashtu, ngritje kanë pësuar edhe çmimet e derivateve. Mirëpo, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë thënë se gjatë muajve në vijim mund të ketë ulje të çmimeve për shkak se edhe inflacioni do të shënoj ulje.
Nga 5 euro e 63 centë sa ishte, çmimi i 5 kilogramëve sheqer të mërkurën ka shkuar në 5 euro e 80 cent.
Ndërsa, ngritje kanë pësuar edhe çmimet e produkteve tjera ushqimore, si ai i vezëve, jogurtit, patateve, perimeve, mishit e çajit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se ditët e para të këtij viti po karakterizohen me rritje të vazhdueshme të çmimeve për produktet esenciale.
Këtë më së miri e dëshmon edhe kjo tabelë e publikuar nga ASK-ja.
Përkundër që çmimet kanë filluar të ngriten, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë thënë se inflacioni gjatë 2023-tës do të shënoj ulje.
Kësisoj BQK vlerëson se kjo do të reflektoj edhe në uljen e çmimeve.
“Projeksionet e BQK-së parashohin që inflacioni në Kosovë për vitin 2022 të arrijë në 11.5 përqind. Trendi zbritës i inflacionit në eurozonë dhe në ekonominë botërore në përgjithësi si rezultat i shtrëngimit të kushteve të financimit, pritet të reflektohet edhe në ekonominë e vendit. Indeksi i Çmimeve të Konsumit – IÇK, pritet të bie në 5.7 përqind në vitin 2023. Sidoqoftë, rreziqet nga kahu i lartë të ndërlidhura me inflacionin, ndonëse me gjasa më të ulëta të materializimit, mbesin akoma prezentë, duke përfshirë shfaqjen e pengesave të reja në zinxhirët e furnizimit dhe rritjen e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, pritjet e konsumatorëve për ngritje të mëtejshme të inflacionit, e të tjera.”
Ndërkaq edhe njohës të ekonomisë thonë se presin që gjatë këtij viti çmimet e shumë produkteve të ulen, krahasur me vitin e kaluar.
Në katër ditët e para të këtij viti janë ngritur edhe çmimet e derivateve dhe ato të detergjentëve. / Kanal10