Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kurti i jep leje Patriarkut serb Porfirije ta vizitojë Kosovën

Gazeta10
05 January 2023 - 13:43

Zyra për Media e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të lejojë Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe Porfirije që të vizitojë Kosovën me rastin e përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.

Lejimi i i kësaj vizite siç tregon ZKM është bërë edhe pse Porfirije nuk ka bërë kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese, por kjo kërkesë Kurtit i ka ardhur nga Ministri për Kthim dhe Komunitetet, Nenad Rashiq.

 “Sot në mesditë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq, kërkoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që t’i lejohet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse. Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kërkesë pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese. Ministrit Rashiq, Kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht”, thuhet në njoftim.

Këtë vizitë në Kosovë siç njofton ZKM, Porfirje ka thënë se do ta bëjë pa truprojet e tij.

“Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia”, përfundon komunikata.

Patriarku Porfirije kishte planifikuar që ta vizitonte Kosovën edhe në fund të dhjetorit. Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, i kishte parashtruar disa kushte, para se t’i lejohej vizita në Kosovë.

MPJD atëherë tha se Porfirijes iu kërkua që të dënojë apo distancohet “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët ishin “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në atë pjesë.

Më pas, zyrtarët serbë deklaruan se kreut të Kishës Ortodokse Serbe iu ndalua hyrja në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar të Merdares.

Porfirije kishte planifikuar që të qëndronte në Kosovë nga 26 deri më 28 dhjetor 2022, në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë ishin të larta, pasi grupe serbësh lokalë, kishin ngritur barrikada në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.