Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Operacioni u krye me “sukses”, pacienti vdiq

Gazeta10
05 January 2023 - 19:43

Raporti: Arbresha Berisha / Kanal10

Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka njoftuar për kryerjen e një intervenimi të rrallë në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, për të cilin tha se ka përfunduar me sukses. Mirëpo, disa orë pas njoftimit të tij, pacienti ndërroi jetë. Për rastin, reagoi drejtori i kësaj klinike, i cili paralajmëroi masa ndaj kardiokirurgut Shala, derisa tha se i njëjti nuk ka qenë i përgatitur për ta kryer një intervenim të tillë, shkruan Kanal10.

“Operacioni u krye me sukses, por pacienti vdiq”.

Si rrallë herë, nga Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK u njoftua për kryerjen e një operacioni të rrallë, kësaj here tek një pacient me diseksion akut të aortës.

Kardiokirurgu Kushtrim Shala u krenua me intervenimin e rrallë që bëri, për çka edhe publikoi një fotografi në rrjetin e tij social Facebook.

Mirëpo, disa orë pas intervenimit, pacienti ndërroi jetë.

“Operacionet e tilla komplekse kryhen kryesisht në qendra të mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuar për kirurgjinë e aortës. Njëkohësisht gjatë këtij operimi për herë të parë në raste të tilla është realizuar proteksion i zemrës me kardioplegji Del Nido, njëra ndër kardioplegjitë që ofron proteksion superior të miokardit. Pacienti i pranuar në gjendje shoku si diseksion akut Stanford tip A në mesnatën e djeshme pas operimit në mëngjesin e sotëm është vendosur në mjekimin intenziv kardiokirurgjik në gjendje stabile për trajtim të mëtejshëm”, tha Kushtrim Shala.

Mirëpo kardiokirurgu Shala po del të mos jetë i përgatitur për ta kryer një intervenim të tillë.

Kështu së paku ka thënë drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Rifat Brahimaj, i cili është shprehur se Shala nuk është konsultuar as me të e as me specialistë tjerë për ta kryer operimin.

Brahimaj me këtë rast ka paralajmëruar edhe masa.

Ndërsa, masa ka paralajmëruar edhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Mirëpo, nga SHSKUK nuk janë deklaruar në lidhje me pretendimet e drejtorit të Kardiokirurgjisë se Shala ka kryer intervenim për të cilin s’ka qenë i përgatitur, por vetëm në lidhje me shkrimin e tij dhe publikimin e fotos në rrjete sociale.

Të gjithë drejtorët e klinikave, spitaleve të përgjithshme dhe njësive tjera në kuadër të SHSKUK-së, disa herë janë të njoftuar përmes Urdhëresës, në formë të qarkores informative, nga menaxhmentet në të kaluarën, por edhe tani, se kanë ndaluar publikimin e shkrimeve, fotografike dhe materialeve tjera nga institucionet ku punojnë, pa autorizim paraprak nga Zyra për Medie dhe për Marrëdhënie me Publikun në SHSKUK, kjo me qëllim që informatat që publikohen të jenë konformm kritereve të përcaktuara etike dhe profesionale. Secili drejtor i institucionit, në këtë rast edhe drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, ka obligim që të ndërmarrrë masat conform legjislacionit në fuqi për mosrespektim të kësaj urdhërese“, tha SHSKUK-ja.

Për rastin ka reaguar kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, i cili i  ka bërë thirrje Odës së Mjekëve të Kosovës që ta trajtoj seriozisht atë.

OMK duhet t’a trajtoj seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale. Në shëndetësi komplikimet gjithmonë janë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!“.

Pacienti raportohet të ketë qenë i moshës 63 vjeçare, derisa një intervenim të tillë po vlerësohet se mund ta kryej vetëm dikush që ka përvojë të gjatë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.