
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami duke kritikuar Qeverinë e Kosovës, ka thënë se pas gjysmës se mandatit nuk ka asnjë premtim të realizuar, raporton Gazeta10.
Ajo ka shkruar në Facebook se derisa Qeveria paguan miliona euro energji elektrike për katër komunat veriore, Bajram Çerkni, babai i një djali 19 vjeçar, i pagjetur që nga viti 1999, drejtori i shoqatës së personave të pagjetur, ka deklaruar se nuk ka energji elektrike në zyre.
“Derisa Qeveria i ka paguar mbi 50 milionë euro energji elektrike vetëm për janar – tetor, për katër komunat veriore, Bajram Çerkni, babai i një djali 19 vjeçar, i pagjetur që nga viti 1999, drejtori i shoqatës së personave të pagjetur, “Zëri i Prindërve”, ka deklaruar se nuk ka energji elektrike në zyre. Lidhur më këtë unë ndjehem e turpëruar e Qeveria…?”, ka shkruar ajo.
Tutje, Bajrami ka thënë se rezutatet e kësaj Qeverie më së miri i din ata që jetojnë këtu dhe jo shtresa e pasur dhe mërgimtarët.
“Rezultatet e Qeverisë Kurti më se miri i dinë qytetarët, ata që jetojnë këtu, ata që përballën me çmime të larta. Këto rezultate i dinë familjarët e të pagjeturëve, atyre që kjo Qeveri u kishte premtuar mrekulli dhe sot pas dy viteve nuk i ka vizituar qoftë njëherë. Rezultatet e Qeverisë Kurti më se miri i dinë qytetarët tonë, jo 5% që janë shtresë e pasur, e që kryesisht janë të koncentruar në Prishtinë, as mërgimtarët tonë të cilët vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet por 95% që me borxhe e kredi mezi i kalojnë muajt – ata i dinë dhe i prekin rezultatet e kësaj Qeverie.”, ka shkruar ajo./Gazeta10