
Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10
Mbrëmjen e së shtunës është sulmuar me gurë në Serbi një autobus me mërgimtarë të cilët ishin nisur nga Peja për në Gjermani. Nga sulmi nuk është lënduar askush, derisa nga kompania “Fadili Tours” ndaj të cilit edhe ka ndodhur sulmi kanë bërë të ditur se tashmë udhëtarët kanë arritur në destinacionet e tyre, shkruan Kanal10.
Autobusi me të cilin po udhëtonin rreth 50 qytetarë nga Peja për në Gjermani është sulmuar me gurë në Serbi, nga persona të paidentifikuar.
Në autobusin në të cilin ndodheshin mërgimtarët nuk është lënduar askush, përveç dëmeve materiale.
Pronari i kompanisë turistike “Fadili Tours”, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja, teksa ka thënë se nuk i kanë parë personat që i kanë sulmuar.
Hajdari ka thënë se të gjithë udhëtarët kanë vazhduar rrugën për në destinacionin e tyre pasi kishin dhënë deklaratë në stacionin policor në Beograd.
Pronari i kompanisë ka thënë se të shqetësuar me këtë sulm janë shprehur edhe udhëtarët, teksa ka thënë se askush nga institucionet e vendit nuk i ka kontaktuar.
Për sulmin ndaj mërgimtarëve kanë reaguar nga Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duke i kritikuar institucionet për mungesë reagimi ndaj këtij rasti.
“Qytetarët e Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi përballen me shumë pengesa dhe rreziqe, që nga pritja disaorëshe (e qëllimshme) nga autoritetet serbe, gjobitja me dënime të larta, konfiskim i dokumenteve, vjedhje të gjësendeve në veturë, ndalime policore disaditëshe që, për të mos e humbur vendin e punës në shtetet ku punojnë detyrohen të paguajnë shuma të larta” – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Ndryshe, janë të shpeshta rastet kur veturat, apo autobusët sulmohen gjatë qarkullimit nëpër Serbi.
Gjithashtu, të shpeshta janë edhe rastet e arrestimeve, të cilët mbahen me muaj e vite në paraburgim në shtetin serb.