
Raporti: Kanal10
Asnjë serb nuk është dënuar vitin e kaluar për dhunim seksual të grave e burrave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prokuroria Speciale është duke hetuar 64 raste të dhunimeve seksuale. Ndërkaq, vitin që shkoi mbi 200 të mbijetuar të dhunës seksuale, kanë deponuar historitë e tyre në Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.
Institucionet e vendit janë duke i hetuar mbi 60 raste të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në mesin e këtyre rasteve, përveç grave, janë dëshmitë edhe të disa burrave që kanë qenë viktima të dhunimeve.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka thënë se punën e institucioneve të drejtësisë është duke e vështirësuar mungesa e Ligjit për Gjykimin në Mungesë.
Pavarësisht hetimeve, gjatë vitit 2022, asnjë serb nuk është dënuar për dhunim seksual, përveç që është shqiptuar për herë të dytë dënimi me dhjetë vjet burg për Zoran Vukotiq nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se rikonfirmimi i aktgjykimit në këtë rast, është një shpresë për viktimat se një ditë drejtësia do të vihet në vend.
Ndërkohë, rreth 1900 burra e gra kanë deponuar historinë e tyre të dhimbshme në Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.
Kryetarja e komisionit, Leonora Selmani ka thënë se nga 1846 aplikime, janë aprovuar 1391 prej tyre.
Kurse, sipas saj, gjatë vitit janë 224 raste që kanë aplikuar.
Në korrik të vitit 2021, për herë të parë nga institucionet vendore ishte dënuar Zoran Vukotiq për kryerjen e krimit të dhunimit seksual.
Ndërkaq, rreth 20 mijë gra e burra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nga kriminelët serbë.