
Mbrëmë në lagjen “Emshir” të Prishtinës në një lokal është plagosur një 37-vjeçar, raporton Gazeta10.
Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka dhënë më shumë detaje lidhur me rastin duke e bërë të ditur se viktima është nga Maqedonia e Veriut.
“Ankuesi shqiptar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se derisa ishte duke qëndruar në një lokal me disa shokë të tij, kanë pasur një konflikt verbal me disa persona. Pas konfliktit verbal personat e dyshuar u kanë drejtuar armët me ç’rast e kanë qëlluar viktimën në këmbë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje thuhet se viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë në kërkim të policisë.
“Njësia policore nga vendi i ngjarjes ka sekuestruar një gëzhojë dhe një veturë që dyshohet se u përket të dyshuarve. Viktima pas trajtimit mjekësor dhe intervistimit është liruar. Të dyshuarit janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.
Policia këtë rast është duke e cilësuar si vrasje në tentativë./Gazeta10