Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Orjana Gremin, 32-vjeçaren që ka vrarë foshnjën e saj.
Në seancën gjyqësore, 32-vjeçarja zgjodhi të mos flasë, ndërsa avokatja e saj kërkoi ndryshimin e veprës penale nga vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në vrasje e të miturve.
Kërkesa u refuzua nga gjykatësi, i cili la në fuqi kërkesën e prokurorisë dhe cilësimin e veprës penale. Gjithashtu, 32-vjeçarja do i nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik.
Për policinë Gremi tha se e kreu veprimin pasi nuk kishte mundësi ta mbante. Tv Klan raporton po ashtu se, autoritetet policore zbuluan se ditën e krimit, ajo shkoi në bankë me certifikatën e lindjes së foshnjes, pa atësi, për të tërhequr bonusin e bebes prej 40 mijë lekësh që jep shteti.