
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Qytetarë të shumtë po vazhdojnë të përdorin dokumente identifikuese me afat të skaduar. Përkundër që disa muaj kanë aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim e pasaportë, të njëjtat s’po mund t’i marrin për shkak të mungesës së materialit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se furnizimi me material pritet të fillojë në fund të këtij muaji, shkruan Kanal10.
Pritjeve të gjata të qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftim, pasaportë e leje të vozitjes, pritet t’i vie fundi gjatë këtij muaji.
Kjo pasi Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në fund të janarit do të fillojë furnizimi me material për prodhimin e këtyre dokumenteve.
Nga kjo ministri kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët deri në zgjidhjen e kësaj çështje.
“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërsa, shqetësuese mungesën e materialit po e shohin qytetarët të cilët po përdorin dokumente me afat të skaduar.
Ata kanë treguar se që më shumë se dy muaj kanë aplikuar për t’u pajisur me letërnjofim.
Në mungesë të materialit për t’u pajisur me pasaportë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ditë më parë ka kërkuar nga Gjermania që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.
Kjo edhe ka ngjallur reagime të shumëta në vend.