Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Memorial i UÇK-së në Jezerc mbetet në harresë, institucionet fajësojnë njëra-tjetrën

Gazeta10
10 January 2023 - 20:01

Raporti: Saranda Aliu / Kanal10

Punimet  në Parkun Memorial të UÇK-së në Jezerc të Ferizajt, kanë ngecur që nga viti 2020. Projekti rreth 360 mijë eurosh, i cili përfshin 6 monumente do duhej të përfundonte këtë vit, por që deri më tani vetëm 2 nga to janë kryer. Banorët kritikojnë komunën se nuk ka bashkëpunuar me ta, e as me OVL UÇK-në, për këtë projekt. Ndërsa, nga komuna e Ferizajt thonë se Ministria e Infrastrukturës nuk po kthen përgjigje nëse do ta vazhdon kontratën për kryerjen e punimeve, shkruan Kanal10.

Në shikim të parë duket si mbetje e një objekti të rrënuar.

Por, në fakt është Monumenti i Epopesë së Jezercit, në të cilin do të duhej të gdhendeshin emrat e dëshmorëve të rënë në këtë fshat.

Punimet e Parkut Memorial të UÇK-së, pjesë e së cilit është edhe ky monument,  kishin nisur në qershor të vitit 2020, por pa zgjatur shumë ato u ndërprenë, megjithëse ishin ndarë rreth 360 mijë euro.

Kryetari i fshatit, Nazmi Baliu thotë se ka 20 vjet që merren me këtë projekt, i cili përfshin 6 monumente, por që deri më tani nuk ka marrë epilog.

Ai ka kritikuar komunën se nuk ka bashkëpunuar as me banorët, e as me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta.

Nga komuna e Ferizajt, kanë thënë se puna është ndërprerë, për shkak të situatës me pandeminë dhe më pas nga rritja e inflacionit.

E fajin ua kanë lënë ministrisë së Infrastrukturës se nuk po kthen përgjigje nëse do ta vazhdojë kontratën për kryerjen e punimeve të këtij projekti rreth 360 mijë eurosh.

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se përgjegjës për realizimin e këtij projekti është Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Por, drejtori i kësaj agjencia, Bislim Zogaj, ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi sipas tij, Kuvendi i Kosovës kur e kishte ndarë buxhetin për këtë memorial, përgjegjëse e kishte bërë Ministrinë e Infrastrukturës.

Jo vetëm në Jezerc, por edhe në shumë vende tjera, komplekset memoriale kanë mbetur shpesh në harresë nga institucionet, derisa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet nga mungesa e investimeve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.