
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur rreth takimit të sotëm me delegacionin nga Departamenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, raporton Gazeta10.
Haradinaj ka theksuar se i ka parashtruar dy nevoja të domosdoshme të Kosovës që lidhen me arritjen e marrëveshjes finale me njohje të ndërsjellë me Serbinë dhe integrimin e serbëve përsëri në institucionet e Kosovës.
“Në një takim përmbajtjesor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje ai ka thënë se ka falënderuar përfaqësuesit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës dhe ka kërkuar mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme./Gazeta10