
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Zjarrfikësit e Vitisë, që nga 2009-ta po detyrohen të qëndrojnë në një objekt të vjetër dhe me kushte të vështira. Në hall janë edhe me mjetet e vjetërsuara e me mungesë të stafit. Objekti i ri që ka nisur të ndërtohet nga 2017-ta ende nuk ka përfunduar. Për këtë, komuna ia lë fajin pushtetit qendror, që nuk e ka funksionalizuar. Të njëjtit thonë se brenda vitit synojnë ta përfundojnë.
Këtë kamion 44 vjeçar, zjarrfikësit e Vitisë, e përdorin sa herë që kanë thirrje emergjente.
Për nga vjetërsia, të ngjashme janë edhe mjetet e tjera, shumë prej tyre edhe me defekte.
Më të vështirë punën ua bënë qëndrimi nga vitit 2009 në këtë objekt, ani pse u ishte thënë se do të qëndrojnë përkohësisht.
Komandanti Hetem Jakupi, thotë se puna në këso kushtesh është e vështirë.
Ai thotë se me gjithë zotimet e institucioneve se objekti i ri, i dedikuar për ta, ende nuk ka përfunduar, pavarësisht se ndërtimi i tij kishte nisur para gjashtë viteve.
E në mungesë të investimeve, edhe muret e dritaret e vendosura, tashmë lirisht mund të cilësohen të vjetra.
Kalimi i kompetencave për ndërtimin e objektit nga Ministria e Punëve të Brendshme në komunën e Vitisë, ka bërë që ky objekt të mos përfundojë që nga viti 2017.
Nga kjo komunë kanë thënë se për shkak të mjeteve të pamjaftueshme nuk kanë arritur ta përfundojnë objektin në vitin e kaluar, për çka presin se në qershorin e këtij viti të finalizohet.
Televizioni ka dërguar pyetje në adresë të MPB-së, se pse objekti i nisur rreth gjashtë vite më parë është lënë në gjysmë, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Me mungesë të stafit e kushte të vështira, përballen pothuajse çdo stacion i zjarrfikësve në rajonet e Kosovës, ku për shumë vite shteti ka investuar pak në to.