Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

HRW: Një vit me plot shkelje të të drejtave të njeriut            

Gazeta10
12 January 2023 - 19:15

Raporti: Viola Korça/Kanal10

Kërcënimet dhe frikësimet e gazetarëve, vrasjet e grave, tensionet në veri e diskriminimi i komunitetit LGBT+, të gjithë këto u evidentuan në raportin e Human Rights Watch për Kosovën. Përfaqësues të medieve e liderë të opozitës kritikuan ekzekutivin derisa u tha se raporti ka evidentuar kaosin, mungesën e kompetencës e keqqeverisjen.

Human Rights Watch ka publikuar raportin për vitin 2022 për Kosovën, ku ka evidentuar kërcënimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave, diskriminimin e komunitetit LGBT+ e tensionet e shkaktuara në veri të vendit.

Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

Ndërsa, u raportua edhe për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve nga bashkëshorti i  presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, si dhe shefit të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi.

Sadriu pati etikuar në rrjete sociale gazetarët dhe mediat si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, derisa Dalipi u pati bërë thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë mediat, të cilat i pati lidhur me biznese kriminale.

“Deklarata të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në media dhe të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarët”, citohet të jetë shkruajtur në raportin e HRË-së.

Pas publikimit të këtij raporti ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës, nga i cili kanë thënë se i njëjti sjell në pah klimën e rënduar të të bërit gazetari në Kosovë.

Ndërkaq, reagime pati edhe nga partitë opozitare.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se raporti ka evidentuar kaosin, mungesën e kompetencës e keqqeverisjen.

“Dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie. Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare!”- Memli Krasniqi

“Shqetësues raporti i ‘Human Rights Watch’ për Kosovën për vitin 2022. Vetëm për shtatë muaj, janë regjistruar 22 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit ndaj gazetarëve. Kërcënime kanë pasur edhe së fundmi në veri të vendit. Por fatkeqësisht, të tillat kanë ardhur edhe nga zyrtarë të lartë të pushtetit, me një gjuhë të urrejtjes, të papranueshme; dhe e cila cënon besimin e publikut në medie. Ndërsa ndaj kësaj gjuhe ka pasur reagim të dobët të organeve kompetente. Institucione shtetërore armiqësore me gazetarët, janë gjëja e fundit që i duhet vendit tonë!”- Sibel Halimi

Human Rights Watch u ndal edhe te dhuna ndaj grave, ku u përmend rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre.

Ndërsa, u përmendën edhe 5 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj komunitetit LGBT+, katër prej të cilave kanë të bëjnë ndaj dhunës nga anëtarët e familjes ose partnerët ndaj personave transgjinorë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.