Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Thirrje për investitorë dhe paralajmërime për konflik, kritikohet paraqitja e Kurtit në Davos

Gazeta10
18 January 2023 - 18:39

Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10

Kryeministri Albin Kurti po kritikohet nga opozita për paraqitjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Deputetë të partive opozitare e njohës të ekonomisë thonë se thirrjet e Kurtit për investime, e po ashtu për shtimin e trupave të KFOR-it në vend, vetëm se po frikësojnë investitorët potencial. Sipas tyre, i pari i qeverisë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe po rrënon të ardhmen ekonomike të vendit. Mirëpo, ndryshe thonë nga Qeveria e Kosovës, shkruan Kanal10.

Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurit, po konsiderohet si një mundësi shumë e mirë për promovimin e vendit e tërheqjen e investitorëve të rinj.

Por që partitë opozitare po vlerësojnë se kryeminsitri Kurti me paraqitjen e tij në këtë forum, vetëm se po krijon klimë të pafavorshme për vendin e po frikëson investitorët potencial.

Sipas tyre, thirrjet për investime dhe kërkesat për shtim të trupave të KFOR-it në vend vetëm se po dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58 milionë e 341 mijë e 19 franga zvicerane, pa asnjë procedurë prokurimi. Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka”, tha Avdullah Hoti.

Deklarata e deputetit të LDK-së, nuk i pëlqeu zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, i cili tha se siguria e shtuar për Kosovën është edhe siguri për investitorët.

Mirëpo, kritika ndaj të parit të qeverisë drejtuan edhe deputetë të PDK-së e AAK-së.

Ata thanë se qeveria po krijon një klimë të pafavorshme politike e cila vetëm se do t’i largojë investitorët.

 “Klima e pafavorshme politike të cilën e ka krijuar kjo qeveri me Albin Kurtin në krye të saj, jo vetëm që i largon investitorët potencial, por edhe i frikëson ata. Gjuha e tij, për gjoja situatën në “prag lufte” dhe agresion nga Serbia mbi Kosovën është rrënuese për të ardhmen ekonomike të vendit kur dihet edhe ashtu fakti se zhvillimi ekonomik i yni është ende në fazen e pamjaftueshme. Pra, dëmi që Albin Kurti po i bën imazhit ndërkombëtar të Kosovës, është i pariparueshem”, tha Mërgim Lushtaku – Deputet i PDK-së.

Ndërsa, njohës të ekonomisë kanë pasur qëndrime të ndryshme sa i përket paraqitjes së Kurtit në Davos.

Kryeminsitri Albin Kurti ka udhëtuar më 16 janar për në Zvicër atje ku ka takuar përfaqësues të shteteve të ndryshme, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.