Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Sveçla pas ndalimit të veturave me targa ilegale: Serbia ka shkelur dakordimin për targat

Gazeta10
18 January 2023 - 22:02

Pas disa raportimeve gjatë ditës së sotme nga mediat serbe në Kosovë, se ka pasur shkelje të marrëveshjes për targat nga ana e Policisë së Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka konfirmuar se ka pasur ndalime për hyrje në pikat kufitare. për veturat me targa ilegale “KM”, raporton Gazeta10.

“Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022. Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim. Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel​, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. ”, ka shkruar  Sveçla.

Ai më tej ka bërë të ditur se raste të ngjashme, nuk do të lejohen edhe më tej të hyjnë apo veprojnë brenda vendit.

“Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel​, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre.”, ka shkruar ai.

Tutje Sveçla ka ftuar të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
04 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.