
Qyteti i Mitrovicës është vërshuar nga reshjet e shiut, si pasojë e të cilave është shpallur gjendje emergjente pasi që shumë familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të mbuluara nga uji, raporton Gazeta10.
Lidhur me këtë kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza për Gazeta10 tha është shpallur gjendje e emergjente dhe numri i familjeve që po kërkojnë ndihmë po vazhdon të rritet në çdo moment.
“Gjendja në Mitrovicë është alarmante e emergjente. Lumenjtë ‘Ibri’ dhe ‘Lushta’ kanë dalë prej shtratit dhe kanë vërshu një pjesë të madhe të fshatrave në rrethinën e Mitrovicës por edhe qytetin. Pjesa më e madhe e qyteti të Mitrovicës është nën ujë, ne e kemi mbledh shtabin emergjent dhe kemi shpallur gjendje emergjente. Prej orëve të hershme të mëngjesit jemi në terren, tu bë përpjekje me i ndihmu njerëzve dhe me iu qëndruar afër. Jemi dukë bërë përpjekje maksimale me ju qëndru afër njerëzve. Ka familje që është dashtë me i evakuu, numri i tyre është i konsiderueshëm. Prej momentit në moment po rritet numri i familjeve që po kanë nevojë për me i evakuuar dhe po kërkojnë ndihmë. Edhe ekipet e zhytëseve edhe ekipet e kërkim shpëtimit, zjarrfikësit e policia janë duke ndihmuar brenda kapaciteteve, por situata është shqetësuese dhe nëse vazhdojnë reshjet nuk e di se çfarë do të ndodhë tutje.”, ka thënë Hamza.
Tutje, kryetari i Mitrovicës ka thënë se janë në teren së bashku ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe do të shohin se çfarë mund të bëhet tutje.
“Jam në terren me ministrin Krasniqi, ministri është në teren, po ashtu është në komunikim me organet e tjera të nivelit qendror dhe do të shohim se çfarë mundemi më bë.”, ka thënë ai./Gazeta10

