
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Vetëm 6 muaj pasi filloi puna në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, dyshemeja e kësaj qendra filloi të dëmtohet. Drejtoresha e QKMF-së ka thënë se dëmtimet erdhën si pasojë e vërshimeve që ndodhën muaj më parë, derisa nga kompania e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e saj, kanë thënë se do të intervenojnë gjatë kësaj jave.
Ende pa kaluar një vit që kur ka filluar puna në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi”në Gjilan, dyshemeja e këtij objekti ka filluar të dëmtohet.
Dëmtime janë vërejtur në katin e parë të kësaj qendre, e po ashtu në hyrje të laboratorit.
Drejtoresha e kësaj qendre, Arbenita Hajdari ka thënë se këto dëme kanë ardhur si pasojë e vërshimeve të cilat kanë ndodhur muaj më parë.
Ndërsa, për rastin thonë se janë të informuar edhe nga Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë.
Drejtoresha Aurora Osmani ka thënë se janë në bisedime me kompaninë e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtje për rregullimin e saj.
E nga kompania kanë thënë se deri të shtunën do ta bëjnë rregullimin e dyshemesë.
Puna në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekëfisë Familjare në Gjilan kishte filluarmë 14 korrik të vitit 2022.