
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
E përveç numërimit të dëmeve, qytetarët dhe zyrtarët e agjencive të ndryshme kanë nisur pastrimin e shtëpive dhe të hapësirave publike në Mitrovicë. Në ndihmë qytetarëve, në mënyrë vullnetare u janë dalë edhe zyrtarët policorë. Atyre gjatë ditës u janë bashkuar edhe zyrtarë të agjencive të tjera.
I kanë zhveshur uniformat zyrtare dhe po bëjnë pastrimin e ambientit, pas gërmadhave që lanë prapa vërshimet në qytetin e Mitrovicës.
Zyrtarët policorë, në mënyrë vullnetare po kontribuojnë që qyteti të kthehet në normalitet dhe që mjedisi në këto anë të ketë një pamje normale.
Drejtoresha Rajonale e Policisë së Kosovës, Afërdita Mikullovci, ka thënë se është përgjegjësi e të gjithëve që në këso rastesh, të ndihmon qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Përveç pastrimit te vendi i njohur si Liqeni Artificial, grupe të ndryshme të qytetarëve dhe të zyrtarëve kanë nisur pastrimin edhe të lumit Lushta.
Bahri Pajaziti nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka thënë se ka kapacitete të mjaftueshme për ta pastruar bodrumet e shtëpive, si dhe hapësira të tjera publike.
Kurse, nga Shtabi i emergjencave në Komunën e Mitrovicës, janë qindra shtëpi që janë vërshuar nga përmbytjet, derisa sipas tij, janë edhe qindra familje që kanë nevojë për ndihma esenciale.