
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Qytetarë të shumtë, kanë vazhduar të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me faturat e larta të tatimit në pronë. Njëri prej tyre ka treguar se fatura e re i ka ardhur gati katërfish më shtrenjtë. Ai ka thënë se një gjë e tillë, përveç që është e papranueshme, është edhe e papërballueshme.
Agim Pacolli, tash e tutje duhet të paguajë mbi 840 euro tatim për pronën e tij, për dallim nga viti i kaluar që kishte paguar rreth 200 euro.
Qytetari nga Prishtina, i cili banon në lagjen “Velania”, thotë se vlera e pronës së tij është rritur shumë, e arsyen as vet ai nuk po e kupton.
Nga 194 mijë euro sa i është vlerësuar shtëpia dhe parcela, me llogaritjen e re, e njëjta i është vlerësuar në shumë prej 578 mijë.
Kjo ka çuar në rritjen enorme të tatimit të pronës, për çka ai ka thënë se është absurde.
67 vjeçari, thotë se po të mos i kishte djemtë e tij, ai nuk do mund ta paguante tatimin vetëm me pensionin që merr.
Prishtinasi ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke thënë se ka zgjedhur metodën më të dëmshme për qytetarët, që të rritet buxheti.
Televizioni gjatë ditës ka thirrur dhe dërguar pyetje në Departamentin e Tatimit në Pronë, në kuadër të Ministrisë së Financave, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Derisa, drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Bersant Beka, ka përsëritur se vlerësimin dhe caktimin e çmimit të tatimit në pronë e bën Ministria e Financave.
Që nga e marta një numër i madh i qytetarëve janë alarmuar pasi që faturat e reja të tatimit në pronë u kanë ardhur me çmime shumëfish më të larta, por që institucionet qendrore dhe lokale ua kanë hedhur fajin njëra-tjetrës.