
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila hodhi poshtë aktakuzën ndaj 5 të dyshuarve në rastin e dhunimit të një 11 vjeçare në Prishtinë. Vendimi i Themelores nxiti reagime në vend, derisa u kërkua që të merren masa disiplonore ndaj prokurororëve.
Institucionet e drejtësisë po vlerësohet se kanë dështuar në trajtimin e rastit të 11-vjeçares së dhunuar në gusht të vitit 2022 në Prishtinë
Kjo pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të dyshuarve në rastin e saj.
Vendimin e Themelores e kundështoi edhe Gjykata e Apelit, e cila edhe e anuloi të njëjtin.
Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës
Mirëpo, avokati i një prej personave të dyshuar, Fitim Limani tha se ende nuk kanë marrë asnjë prej vendimeve të dy gjykatave, për çka edhe pati ankesa.
Ndërsa, avokati Emrush Kastrati, arsyetoi vendimin e Themelores pasi tha se prokuroria është ajo që ka dështuar të përshkruaj veprimet e personave të përfshirë në këtë rast.
Vendimi i Themelores nxiti reagime, për çka edhe u kërkua që të merren masa disiplinore ndaj prokurorëve.
Dështime të tilla nga ana e prokurorisë dërgojnë në zvarritje të lëndëve penale dhe në dekurajim të viktimave të dhunës me bazë gjinore që ato të paraqesin rastet dhe të kërkojnë drejtësi. Andaj, përmes këtij reagimi kërkojmë nga ana e prokurorisë që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet kërkesa në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar. Gjithashtu kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë veprimet e duhura lidhur me gjetjen e shkaktarit mbi atë që kemi aktakuza të dobëta që hidhen poshtë nga gjykatat. Në të njëjtën kohë duke marrë edhe masat disiplinore ndaj prokurorëve përkatës.”-RrGK
Më 27 gusht të vitit të kaluar, në një park në Prishtinë, derisa ishte duke ecur, 11 vjeçarja dyshohet se u dhunua nga pesë persona, dy prej të cilëve të moshës madhore.